Sokol-hazizaj_1
23/08/2017 - 8:47

Sokol Hazizaj: Drejtësia në kolaps, Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë jashtë funksionit

Juristi i njohur, Sokol Hazizaj, në një intervistë për gazetën “Sot”, flet për drejtësinë aktuale sot dhe çfarë pritet të ndodhë në vjeshtë. Sokol Hazizaj deklaron se drejtësia sot është në kolaps dhe Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë është jashtë funksionit, për shkak të mungesës të mbarimit të mandatit të pjesës më të madhe të gjyqtarëve. Hazizaj jep gjykimin e tij dhe për ankimimin e Kodit të Procedurës Penale në Kushtetuese nga prokurorët, të cilët mendojnë se u është cenuar pavarësia që për një dosje hetimore të merret mendimi i gjykatësit hetues dhe më pas të shkojë në gjykatë.

Hazizaj thotë se e drejta procedurale ka marrë më tepër karakter filo-gjermanik sesa më parë, pasi i janë hequr disa kompetenca prokurorit. Ai shprehet se, duket sikur prokurorit i ka ikur e drejta për të marrë vendime, por në të vërtetë është liberalizuar procesi i debatit në procesin e hetimit dhe gjykimit. Sa i takon reformës në drejtësi, Hazizaj thotë se nuk më asnjë diskutim se në vjeshtë ka ardhur koha që të zbatohet dhe të japë efektet e saj të prekshme. Juristi Hazizaj theksoi se institucionet kushtetuese janë të detyruara të zbatojnë ligjin dhe Kushtetutën. Sa i takon propozimit të PD për pjesëmarrjen me detyrim të qytetarëve në votime, Hazizaj tha se nuk cenon të drejtat universale të qytetarëve, por duhet që qytetarëve t’u krijohet një mjedis i favorshëm për të votuar.

-Gjykata Kushtetuese ka mbetur aktualisht me 6 gjyqtarë. Pas dy gjyqtarëve u larguar edhe gjyqtari Vladimir Kristo, për shkak të mbarimit të mandatimit dhe daljes në pension. A mund të themi se kjo gjykatë është futur në ngërç dhe e ka të pamundur të marrë vendime?

Drejtësia sot është në një krizë të madhe sepse, dy gjykatat që janë më të rëndësishme, Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese gjithashtu, për shkak të mbarimit të mandatit të pjesës më të madhe të gjyqtarëve ka ndodhur ajo çka është parashikuar nga unë dhe rrjedhimisht janë në black out total. Nuk krijohen kuorumet e drejta ligjore për shqyrtimin e çështjeve. Një nga shkaqet është se reforma në drejtësi duhet të ishte më graduale, më e pjekur në ndryshimet procedurale dhe materiale gjithashtu. Përveç ngarkesave të mëdha që ka Gjykata e Lartë që llogaritet në lidhje hetimi normalisht për çështje të pagjykuara prej saj edhe për shkak të ndryshimeve të saj ligjore, sot ndodhemi para vonesave që vijnë për shkak të ligjit dhe nuk vijnë për shkaqe të mungesës së zbatimit të ligjit. Sot është mungesa e funksionimit të eficencës së Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese për shkak të ligjit dhe, kur ligji bëhet pengesë për shqyrtimin e çështjeve, atëherë rezultati dihet: shqetësimi qytetar, mungesa e transparencës dhe mungesa e zgjidhjes së çështjeve. Në fund të fundit janë kosto për qytetarët. Sot, ne jemi pa Gjykatë të Lartë dhe pa Gjykatë Kushtetuese. Ndodhemi në riskun final të pamundësisë së zgjidhjes së çështjeve ankimore pranë Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese.

-Ligjet e paketës për reformën në drejtësi janë ankimuar në vazhdimësi nga gjyqtarët dhe prokurorët.Së fundmi ka qenë Unioni i Prokurorëve që kërkoi shfuqizimin e rreth 20 neneve të Kodit të Procedurës Penale në Gjykatën Kushtetuese. Sipas ligjit, të gjitha veprimet hetimore që do të kryhen nga prokuroria duhet të marrin edhe miratimin e gjykatës. Organi i akuzës mendon se ky ndryshim u cenon pavarësinë gjatë procesit të hetimit. A keni një gjykim për ndryshimin e ri ligjor dhe ankesën e prokurorëve në gjykatë?

Ka një profil të ri që ndoshta nuk është kuptuar nga organi procedural i ri i hetimit. E drejta procedurale penale e parareformës e cila dhe mund të përmirësohej, pranonte brenda vetes sistemin akuzator por i jepte profilin prokurorisë të sistemit inkuizitor, që do të thotë: shumë vendime merreshin nga organi procedural i hetimit pa iu nënshtruar debatit të palëve. Sot me ndryshimet e fundit të së drejtës procedurale, ajo merr më tepër pamje të karakterit akuzator. Çdo veprim i organit të hetimit shkon domosdoshmërisht në gjykatën e hetimit. Sot krijohen gjyqtarët hetues. Çdo veprim procedural i hetimit i nënshtrohet debatit. Ndonëse më parë ky detyrim parashikohej me të drejtën e palëve, se pala i drejtohej gjykatës për veprimet procedurale të ndjekura nga prokurori, sot sistemi teoria procedurale pa kërkesën e palëve është kthyer në proces debati në gjykatë. Në këto kushte, duket sikur prokurorit i ka ikur e drejta për të marrë vendime.

Në të vërtetë është liberalizuar procesi i debatit në procesin e hetimit dhe gjykimit. E drejta procedurale ka marrë më tepër karakter filo-gjermanik sesa më parë, i ka hequr disa kompetenca prokurorit. Sot, prokurori është i detyruar që çdo vendim të tij ta çojë në gjykatë. Deri dje ai merrte vendime, por mbi bazën e kërkesës së palëve shkonte në gjykatë dhe debatohej. Sot, përmasa e sistemit akuzator është më i ofruar në atë çka parashikon procedura moderne. Kjo duket sikur i ka dhënë autoritet organit procedurial të hetimit. Me kapacitetet që ka gjykata shqiptare, do të çojë në pamundësi të ezaurimit të të gjitha hapave procedurialë, sepse nuk kemi një numër të mjaftueshëm gjyqtarësh. Në Gjykatën e Tiranës janë vendosur 12 gjyqtarë hetues. Tirana ka 70 gjyqtarë. Po në Berat? Po në Fier? Në Vlorë dhe Pogradec që ka numër të reduktuar gjyqtarësh, kush do jetë gjyqtari i hetimit?

-A besoni se në vjeshtë do të hapen dosjet e mëdha të korrupsionit dhe reforma në drejtësi do të zbatohet duke dhënë efekte të prekshme?

Opinioni im ka qenë dhe është: sa kohë u krijua me ligj dhe Kushtetutë gjithashtu, tani është detyrim i institucioneve që t’i shkojë ligjit kushtetues nen për nen. Sot nuk ka më dyshime dhe nuk ka pse të ketë dyshime sa i përket mënyrës së funksionimit dhe organizimit të institucioneve. Vlera e institucioneve e krijuar sot me Kushtetutë do të zbulohet atëherë kur ato të funksionojnë bazuar në ligjin kushtetues. Nuk ka më dyshim sot se reforma do zbatohet, sa kohë institucionet e krijuara janë të bazuara në parashikimet kushtetuese. Nuk ka më kanë diskutim.

-Në shtator pritet që palët politike të ndryshojnë Kodin Zgjedhor. Midis ndryshimeve do të diskutohet edhe propozimi i Partisë Demokratike, që pjesëmarrja e qytetarëve në votime të bëhet me detyrim. A është kjo një shkelje e të drejtave të njeriut dhe a u garanton Shqipëria të paktën mjedis të favorshëm qytetarëve për të votuar me detyrim?

Kjo praktikohet në Greqi, në Venezuelë dhe në disa vende të tjera të Amerikës. Ka praktika të ndryshme në pjesëmarrjen e qytetarëve me detyrim në proceset zgjedhore. Ne ndryshojmë nga kafshët vetëm për një shkak; dhe shkaku është i parazvlefshëm me pjesëmarrjen në votime. Kafshët nuk votojnë, ne i nënshtrohemi funksionimit ligjor. Pjesëmarrja e detyrueshme në votim nuk ka asnjë gjë të përbashkët me dhunimin e së drejtës. Pjesëmarrja e detyrueshme nuk do të thotë që i vendos qytetarit para gijotinën. Sigurisht, njëkohësisht vendosen penalitete siç e ka edhe Greqia. Në fund të fundit është detyrim i qytetarit për t’u shprehur, por kjo shkon paralel me votimin elektronik të qytetatëve. Së pari duhen analizuar disa kushte të realizimit të së drejtës, pastaj duhet të bëhet ndryshimi ligjor. Nuk ka se si të kërkosh pjesëmarrjen me detyrim të qytetarëve në votim, pa realizuar mjedisin për të votuar. Kjo nuk ka të bëjë me shkeljen e të drejtave të njeriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>