Rama-Asambleja-e-PS
14/08/2017 - 11:57

Rama mbledh Asamblenë e PS-së, pritet “kryqëzimi” i ministrave dështakë

Partia Socialiste më 27 gusht do të mbledh forumin e saj më të lartë, Asamblenë Kombëtare Socialiste ku do të bëhen të ditura disa vendime, mes të cilave edhe kabineti i ri qeveritar.

Në këtë mbledhje, do të publikohen edhe rezultatet që mori PS-ja në çdo kuti votimi në zgjedhjet e 25 qershorit, e njëkohësisht do të evidentohen fituesit dhe humbësit më të mëdhenj. Në Asamble do të bëhet një analizë e përgjithshme e zgjedhjeve dhe rezultatit të tyre në 25 qershor ku do të ndalet edhe te ata koordinatorë qarqesh që sollën rezultatin më të ulët për PS-në krahasuar me të tjerët. Socialistët do të bëjnë një analizë të hollësishme për 25 qershorin duke përfshire të gjitha degët, aty ku pati rënie të votave por dhe aty ku u rrit ndjeshëm. Për këtë mbledhje janë hartuar raporte specifike të cilat janë në tryezën e kryeministrit Rama.

Kryesocialisti caktoi 5 grupesh pune, të cilët kanë hartuar raporte specifike për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare Socialiste dhe mbi bazën e këtyre raporteve pritet të vendoset edhe përbërja e qeverisë. Por, cilat janë socialistët që kanë marrë rezultat më negativ në zgjedhjet e 25 qershorit?

Gazeta “Shekulli” ka bërë një krahasim mes rezultateve që ka marrë Partia Socialiste në zgjedhjet e 2013 dhe atyre në vitin 2017. Nga krahasimi rezultojnë disa zona ku Partia Socialiste ka marrë më pak vota në 2017 krahasuar me vitin 2013. Në bazë të rezultateve rezulton se janë disa ministra, përfaqësues qarqesh që kanë raport negativ sa i përket rezultateve të zgjedhjeve. Kështu, me bilanc negativ rezulton të jetë ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj si drejtues i qarkut të Dibrës, Ditmir Bushati si drejtues i njësisë së Shkodrës. Në bilancin negativ përfshihet edhe ish-zv.kryeministri Niko Peleshi, i cili në bashkinë Korçë ka shënuar rezultat negativ. Arben Ahmetaj është një tjetër koordinator që shënoi rënie votash në bashkinë e Kavajës dhe po ashtu Taulant Balla, si drejtues politik i qarkut të Elbasanit.

Rezultatet

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka shënuar rezultat negativ në zgjedhjet si drejtues i qarkut të Dibrës. Në këtë qark, PS-ja ka marrë më pak vota më 25 qershor krahasuar me zgjedhjet e 2013. Kështu, në rang qarku Partia Socialiste në zgjedhjet e 2013 mori 25.103 vota. Ndërsa në zgjedhjet e 25 qershorit të këtij viti, PS-ja mori 24.715 vota. Diferenca e votave në ulje është 388 vota më pak. Një emër tjetër me rezultat negativ është ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj që ka drejtuar fushatën e zgjedhjeve në njësinë bashkiake të Kavajës. Ahmetajt i numërohen jo një humbje por dy të tilla.
Partia Socialiste në zgjedhjet e 25 qershorit në Kavajë mori më pak vota dhe njëkohësisht humbi dhe bashkinë. Në zgjedhjet e 25 qershorit të këtij viti Partia Socialiste mori 5.173 vota ose 39.92 %, duke pësuar një rënie me 11.43 % krahasuar me rezultatin e katër viteve më parë. Ndërsa në zgjedhjet e 2013 PS-ja në këtë njësi bashkiake mori 6.574 vota ose 47.39 për qind e votave. Niko Peleshi në bashkinë Korçë ka marrë një rezultat negativ. Partia Socialiste në këtë qark në vitin 2013 mori 34.344 vota, ndërsa në vitin 2017 ka marrë 23.456 vota. Pra, diferenca është e madhe, me 10.888 vota. Taulant Balla ka shënuar një humbje të madhe në qarkun e Elbasanit, si drejtues politik i saj. Në rang qarku, PS ka ­2705 vota, ose e thënë në përqindje, rënia është me 1.97. Në këtë qark, PD ka rënë me ­13.171 vota, ndërsa LSI është rritur me 5.056 të tilla. Në këtë qark, edhe PDIU që mori dy mandate është rritur, duke grumbulluar 29.201 vota.

Pra, PS-ja pësoi humbje. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka shënuar po ashtu rezultat negativ në Shkodër. Qarku i Shkodër është një ndër dy qarqet ku ka humbur PS-ja dhe po ashtu ka humbur edhe në krahasim me rezultatin e 2013-ës. PS në 25 qershor në bashkinë Shkodër mori 20.195 vota, ndërsa në vitin 2013 ka marrë 26.984 vota. Diferenca është 6.789 vota. Humbës rezulton edhe deputeti Pandeli Majko, si drejtues i njësisë numër 5 në Tiranë. Në këtë njësi PS-ja pësoi humbje me 1 për qind të votave. Njësia 7 e drejtuar nga Vasilika Hysi, ka shënuar po ashtu ulje me 51.61 % të votave, nga 51.82 % të tilla. Rezultat pozitiv ka shënuar ish-ministri Fatmir Xhafaj. Ish-ministri përgjegjës për njësinë 10, ka shënuar një rritje të konsiderueshme plot 4.17 % krahasuar me vitin 2013. Rritje shënuan edhe ish-ministrja Olta Xhaçka dhe Ogerta Manastirliu. Ndërsa fituesit më të mëdhenj rezultojnë të jenë Gramoz Ruçi që pritet të marrë postin e kryetarit të Kuvendit, Damian Gjiknuri dhe Vangjush Dako. Në rang vendi PS ka marrë 763.999 vota, 48.33 % të nr. të përgjigjëm të votave; e përkthyer në 74 mandate. Pritet të shikohet nëse Rama do të vendos për kabinetin e tij të ri në bazë të këtyre rezultateve, siç është shprehur.

Grupi i punës

Kryeministri Edi Rama caktoi 5 grupesh pune, të cilët kanë hartuar raporte specifike për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare Socialiste. Burimet bëjnë me dije gjithashtu se në selinë rozë janë ngritur pesë grupe pune: ai për ristrukturimin e qeverisë, për reformën në administratë, për analizën e zgjedhjeve të qershorit, për grupin parlamentar dhe për bashkëqeverisjen me qytetarët. Krerët e grupeve kishin përgjegjësi të bënin nga një raport të aktivitetit të deputetëve në parlament dhe në zonën e përfaqësimit. 5 drejtuesit e grupeve që do i referojnë Ramës raportet, janë: Gramoz Ruçi, Milva Ekonomi, Niko Peleshi, Arben Ahmetaj dhe Fatmir Xhafaj. Mbi bazën e këtyre raporteve do të ketë vendime të rëndësishme lidhur me strukturimin e qeverisë së re, ministrive dhe fushave të tyre të përgjegjësisë. Kabineti qeveritar “Rama 2” pritet të ndryshojë rrënjësisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>