basha-kokedhima
13/09/2017 - 10:42

Kokëdhima: Jam me Bashën për reformën zgjedhore

Nga Koço Kokëdhima

Ndoqa shpërthimin e Lulzim Bashës në kuvend për kryerjen me urgjencë të reformës zgjedhore. Përndryshe, tha ai, populli do të shqyejë dyert e gjirizit. PD dhe Rilindja kanë shkatërruar zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri. PD-ja mbolli kulturën e vjedhjes, manipulimit dhe blerjes së zgjedhjeve. Edi Rama, si një armik i egër i zgjedhjeve të lira, e sofistikoi dhe e çoi në ekstrem këtë kulturë. Basha nuk është i sinqertë në ato që thotë.

Së pari ai duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve për krimet elektorale të Partisë Demokratike në të shkuarën e afërt dhe për sistemin e shëmtuar zgjedhor që i kanë lënë peshqesh Shqipërisë, së bashku me PS-në. Së dyti, ai duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve për zgjedhjet e 25 qershorit. Rilindja dhe PD-ja i bënë këto zgjedhje, që janë më të këqijat, pas atyre të 26 majit 1996, në historinë e zgjedhjeve shqiptare.
ZGJIDHJA i bojkotoi zgjedhjet legjislative të 25 qershorit në emër të reformës së pakryer zgjedhore.

Të tjerët folën dhe si përfundim hynë në zgjedhje me kodin zgjedhor të mafias së kanabisit dhe dolën që andej si rruar-qethur. Kur u hap parlamenti i ri, ZGJIDHJA sërish bëri thirrje e vetme për vënien e reformës zgjedhore në krye të axhendës së këtij parlamenti. Sa i besueshëm është kryetari i PD-së, i cili vetë u zgjodh në krye të saj pa reformë “të brendshme” zgjedhore?

Ne i themi Bashës “bujrum” në frontin tonë të luftës së sinqertë dhe pa kompromis për zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa patur nevojë madje që të shtyjmë popullin “të shqyejë dyert e gjirizit” për reformën zgjedhore. Mjafton që opozita parlamentare të mos e shkelë më derën e atij kuvendi për aq kohë sa çifti keqbërës Rama-Ruçi do të refuzojnë që ta vënë reformën zgjedhore në rendin e ditës së parlamentit.

A është e gatshme për aksion PD-ja e Lulzim Bashës? A është dakort ajo për votimin dhe numërimin elektronik në qendrat e votimit dhe për një administratë zgjedhore të departizuar, pa komisionerët dhe numëruesit e tyre që grabisin votat e partive të tjera? A është PD-ja gati që të kërkojë falje që u bë pjesë e farsës zgjedhore të 25 qershorit, apo do të vazhdojë me flirtet dhe bashkëpunimin me Edi Ramën dhe Rilindjen, siç bëri me marrëveshjen okulte të 18 majit? ZGJIDHJA nuk beson te PD-ja dhe Rilindja që shqiptarët të fitojnë të drejtën e votës. Ajo do të jetë në krye të kësaj lufte, fitorja e të cilës është fitore për të gjithë popullin dhe partitë shqiptare, përveç partive të kryetarëve dhe kryetarëve të tyre, përfshirë edhe PD-në e Lulzim Bashës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>