dashamir-shehi-655x356
19/08/2017 - 8:57

Dashamir Shehi: Të rrudhet roli i krerëve të partive, vendi ka nevojë për reforma

Propozimi i nënkryetarit të PD, Edmond Spaho, për të futur një sistem votimi të detyrueshëm, ka përçarë opozitën. Brenda grupit opozitar kanë filluar dhe përplasjet e para mes aleatëve të Partisë Demokratike, të cilët nuk janë dakord me këtë sistem. Njëri prej këtyre aleatëve është dhe kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, i cili gjatë një prononcimi për gazetën SOT u shpreh se ka gjëra të tjera akoma më të rëndësishme për të bërë sesa sistemi me votim të detyrueshëm.

“Duhet parë si e kanë vendet e tjera, pastaj ta shikojmë ne. Unë them që edhe kjo mund të bëhet, por duhet të bëhen gjëra të tjera në fillim. Se si me detyrim si pa detyrim, nëqoftëse s’ka numërim, s’ka sistem për të qenë. Në radhë të parë duhen bërë gjëra të tjera, pastaj ajo”, u shpreh Shehi. Ai gjithashtu deklaroi se pjesëmarrja e ulët e popullsisë në zgjedhje nuk mund të ndryshohet me vendosjen e një sistemi proporcional sepse, sipas tij, njerëzit janë të mërzitur nga sistemi politik që operon në Shqipëri. “Njerëzit që nuk shkojnë për të votuar nuk është puna se janë të një krahu apo të një krahu tjetër, janë të mërzitur nga sistemi politik”, vijoi fjalën kreu i LZHK. Gjithashtu, Shehi nënvizoi dy çështje kryesore që duhet të ndërmerren. Sipas tij si fillim duhet të merren masa për vendosjen e një sistemi elektronik dhe e dyta, të ndryshohet sistemi që kryetarët e partive të mos i përzgjedhin më deputetët, por të zgjidhen nga populli.

“Unë them e para është numërimi elektronik njëherë që të largohen duart nga votat. E dyta, të ndryshohet sistemi sepse nuk mund të jetë më ky sistem që është sot proporcional rajonal që i vendosin kryetarët e partive deputetët ku populli ka dalë jashtë loje”, nënvizoi ai. Në mbyllje të fjalës së tij, kreu i LZHK e cilësoi si një çështje dytësore propozimin me votim të detyruar të Edmond Spahos dhe ritheksoi edhe njëherë se në vendet e tjera nuk vidhen votat pavarësisht sistemit që ata operojnë. “Këto janë të parat pastaj kjo mund të bëhet, por për mua është e dorës së dytë. Nëpër botë ka vende që votojnë me detyrim dhe vende që votojnë si të kenë qejf, por nuk vidhen votat, kjo është e rëndësishme”, u shpreh kreu i LZHK Dashamir Shehi. Kundra këtij vendimi është shprehur edhe aleati tjetër i PD, kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, i cili ka deklaruar së është kundër vendimit të votimit me detyrim pasi e drejta e ushtrimit të votës është një e drejtë e qytetarit dhe nuk mund të detyrohet me ligj.

Alimadhi pro votimit me detyrim

Çështja e votimit me detyrim ndonëse ka ngjallur përplasje brenda grupit të aleatëve të Partisë Demokratike, ka dhe nga ata që e mbështesin dhe që mendojnë se duhet të aprovohet. Kreu i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, i pyetur nga gazeta në lidhje se çfarë mendon për idenë e Edmon Spahos për një votim të detyrueshëm, deklaroi se një sistem i tillë duhet të aprovohet menjëherë që të mos ripërsëritet rasti i zgjedhjeve të 25 qershorit, ku në votime u reduktua numri i votuesve. “Duhet të aprovohet përderisa qytetarët shqiptarë tregojnë një indiferencë si në rastin e fenomenit të zgjedhjeve të 25 qershorit”, u shpreh Alimadhi. Ai gjithashtu nënvizoi se duhet të aprovohet edhe për shkak të procedurave zgjedhore që kanë ndodhur gjatë këtyre 27 viteve. “Dhe për shkak të të gjitha procedurave që kanë ndodhur në këto 27 vjet, duhet të aprovohet me patjetër”, tha Alimadhi për gazetën./gazeta Sot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>