auto_20643932_10213786168437964_1595703802_n1501942545
05/08/2017 - 16:27

Daily Mail ju tregon se kush është ministri i Toni Bler, që shkruan artikuj me pagesë për Edi Ramën

MIRËMËNGJES

dhe ju uroj një ditë të mbarë me këtë artikull për Shqipërinë dhe Ballkanin, botuar në francezen Le Monde nga Denis MacShane, Ministër për Çështje Europiane të Qeverisë britanike Blair 2002 – 2005.

Me këtë mesazh ju uronte nisjen e ditës, pak ditë më parë kryeministri Edi Rama shqiptarëve.

Në fakt ai po bënte shitjen e radhës të një artikulli bombastik plot lavde kushtuar atij si lider, të botuar në “Le Mond” në hapësirën “me sponsorizim”, nga një prej shkruesve me pagesë, që ai ka pajtuar edhe së fundmi. Bëhet fjalë për një nga politikanët më të diskretituar në Britaninë e Madhe, që ka shitur miliona kopje gazeta me skandalet e tija korruptive, kur ishte në qeverinë e Bler.

Shkrimin me të cilin u thotë “mirëmëngjes” shqiptarëve Edi Rama, e ka shkruar Denis MacShane, ish ministër për Çështjet e Europës, në qeverinë e këshilltarit të tij kryesor britanik.

MacShane është pajtuar që ti shërbejë Ramës, nën rekomandimin e mikut të tij Bler që përpara zgjedhjeve, kur edhe shkroi një shkrim të gjatë për mediat e huaja, me superlative për këtë lider “ndryshe dhe të jashtëzakonshëm” që ka Shqipëria, Ballkani dhe madje gjithë Europa.

Në artikullin e fundit në “Le Monde” ai lavdëron Edi Ramën duke e portretizuar si politikani, që po shpëton fatet e socialdemokracisë europiane.

Artikulli ka të njëjtën strukturë dhe përmbajtje që kanë prej disa vitesh gjithë botimet, që Rama porosit me pagesa të majme në shtypin e huaj: Stil i veçantë në veshje, ka qenë artist dhe sportist i arrirë; ka transformuar Tiranën kur ka qenë kryebashkiak i saj, leu muret e pallateve…dhe në fund me një “Deus ex machina”, del që tani si kryeministër i Shqipërisë, po emancipon dhe po modernizon vendin, ka stabilizuar Ballkanin dhe madje- madje është shpëtimi i vetëm, i socialdemokracisë europiane!!

Edi Rama bën mirë që këto shkrime të paguara ku ai del “hero e lider” i hedh në faqen e tij në facebook dhe i shpërndan në të gjitha mediat që kontrollon. Por do të ishte mirë edhe që t`ju tregonte shqiptarëve se kush është në të vërtetë ky, “Denis MacShane, Ministër për Çështje Europiane të Qeverisë britanike Blair 2002 – 2005”.

Meqenëse as Rama dhe as mediat e tij nuk e bëjnë, “Syri.net” po thërret në ndihmë një nga gazetat më të mëdha britanike. Shkrimet për këtë politikan që u bë simboli i korrupsionit janë me qindra, por ne kemi zgjedhur vetëm një.

Ja çfarë shkruan mes të tjerave Daily Mail, në versionin online më 26 Korrik të vitit 2014, për ish-ministrin e burgosur britanik për korrupsion që siç thotë edhe vetë, deri pak kohë më parë ishte katandisur si mos më keq nga financat, por që duket se shpëtimi i ka ardhur, nga borderoja e kryeministrit të Shqipërisë.

Duke qëndruar i ulur në kuzhinën e shtëpisë së tij katërkatëshe në Pimlico, në Londrën Qendrore, Denis MacShane vështirë se mund të duket më pak se një kriminel i dënuar.

Veshur me pantallona të shkurtra dhe me këmishë, ai qëndron para një shishe birrë, për të cilën thotë se e bleu disa muaj para paraqitjes së tij të parë në gjykate.

Tashmë kanë kaluar pesë muaj e gjysmë që kur 66 vjeçari doli nga burgu i Brixton, pasi u deklarua fajtor për kërkesa të rreme mbi shpenzime që arrinin në 12,900 euro. Ai u dënua me gjashtë muaj burg.

Por tërbimin ndaj dënimit që iu dha, ish-ministri i Blair e shpreh në librin e tij të ri, “Ditari i Burgut”.

MacShane kaloi gati shtatë javë në Belmarsh, një institucion që strehonte vrasësit dhe terroristët, përpara se të shërbente pjesën tjetër të dënimit me një etiketë elektronike.

Edhe pse mësoi shumë nga përvoja e tij, ish-deputeti i Rotherhamit beson se kurrë nuk duhet të kishte përfunduar atje.

“Unë nuk e justifikoj veten,” tha në intervistën e parë që nga lirimi i tij. “Unë jam fajtor. Unë jam autori i tragjedisë sime …

“Unë jam deklaruar fajtor që nga fillimi, kam pranuar atë që kam bërë, ishte gabim, kam kërkuar falje dhe më pas, kam paguar të gjitha paratë”.

MacShane mund të ketë të drejtë. Ai pranoi se kishte bërë kërkesa të rreme për fonde, duke sqaruar, se thjesht po mundohej të mbulonte shpenzimet e tij për udhëtimet e huaja në rolin e tij e ish-ministrit të Evropës nën udhëheqjen e Tony Blair.

Ai nuk kishte asnjë përfitim personal, një fakt që më vonë u desh ta pranonte edhe gjykata.

Edhe pse rasti i tij nuk ka qenë skandali më i madh në parlamentin britanik, ai zgjati katër vjet shqyrtim.

John Lyon, sish-komisionieri Parlamentar për Standardet, e denoncoi çështjen e MacShane në “Scotland Yard”, por policia hetoi deri më korrik të 2012-ës. Tre muaj më vonë Lyon rihapi hetimin dhe si rezultat, MacShane u pezullua nga Parlamenti për 12 muaj.

“Isha absolutisht i poshtëruar, i shkatërruar …pa pagë, pa të ardhme, me një reputacion të rrënuar. Ndërkohë Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës më qëndronte mbi kokë dhe më akuzonte pa ndonjë provë të re”

Ndërkohë Vicky Pryce, partnerja e MacShane, u dënua me tetë muaj burg për pengim drejtësie. Nuk pati ndonjë shpjegim për standardin e dyfishtë

Përshkrimet e MacShane për jetën brenda burgut janë tronditëse. Ai kurrë nuk lejohej të dilte nga qeliza e tij. Ndonjëherë mbahej i mbyllur për 17 orë në ditë.

Ai është përshtatur përsëri në jetën normale pas disa vështirësive. Loyds mbylli llogarinë e tij bankare, për shkak të dosjeve penale.

MacShane ende ka pensionin e tij parlamentar, por ka humbur pothuajse të gjitha kursimet e jetës së tij.

Ai e ka ruajtur rrethin e tij të vjetër të miqve, dhe tani, natyrisht, ka shokë të rinj. Javën e kaluar MacShane u kthye në Brixton për të vizituar ish shokun e dhomës.

Ish-politikani thotë do të donte të ftonte të burgosurit e tjerë për darkë, por thotë nuk mund t’i ftojë ata në të njëjtën kohë me kolegët e tij të vjetër të parlamentit, sepse sipas tij ‘politikanët nuk dinë të flasin normalisht me njerëzit’.

One Response to Daily Mail ju tregon se kush është ministri i Toni Bler, që shkruan artikuj me pagesë për Edi Ramën

  1. Ali Pasha says:

    Me keta gangestere publikon ne shtypin e huaj bemat dhe “sukseset” lideri yne boteror. Asnje gazete nuk shkruan per “biografin” e Kryeministrit me atlete. I ka tredhur pronaret e mediave. Dikur lektoret na thoshnin, “Enver Hoxha gjynah qe udheheq nje vend te vogel, si Shqiperia. Ai duhet te drejtonte nje shtet te madh, si Amerika, Anglia apo Franca”. Ky fat, per dreq, i takoi edhe Edi Rames.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>