edmond-spaho
22/08/2017 - 10:37

Aleatët i dalin kundër PD: Votimi me detyrim na kthen te shteti i të fortëve

Nënkryetari i PD, Edmond Spaho, ka mbetur i vetëm në propozimin e tij për të futur sistemin e votimit me detyrim. Kryetari i Partisë Balli Kombëtar, Artur Roshi, tha se një ide e tillë është rikthim drejt shtetit të të fortëve. Deklarata e tij tregon se aleatët e PD janë kundër propozimit.

“Unë nuk e vlerësoj si një propozim pozitiv dhe besoj se nuk do të gjejë terren për t’u zbatuar e përkrahur nga qytetarët. Bërja e një ligji të tillë besoj se ka të bëjë me zëvendësimin e lirisë me forcën. Është forca e shtetit që detyron qytetarët që të shkojnë të votojnë. Më pas deklarohen njerëzit që nuk kanë votuar”, tha ai. Roshi shkon edhe më tej, ku thotë se llogari të tilla politike mund të jenë edhe shkak për një humbje më të thellë të Partisë Demokratike, pasi nëse një propozim i tillë vendoset në Kushtetutë, ai shkel të Drejtat e Njeriut.

“Është liria ajo që mund të çojë qytetarët të votojnë. Politika shqiptare është duke lënguar, pasi nuk po i përmbahet parimeve, por interesave të momentit. Unë them se Partia Demokratike duhet të dalë nga kjo lëngatë. Këto eksperimente negative që kanë mohuar lirinë dhe të drejtat e njeriut nuk duhet të funksionojnë dhe nuk duhet të bëhen promotorë. Ky propozim nuk qëndron, as mbi filozofi politike as mbi të ardhmen e qytetarëve shqiptarë. Do të japë një efekt negativ dhe them se do ta fusë në një rreth vicioz dhe do garantojë një humbje më të madhe dhe të sigurtë të së djathtës”, vijoi Roshi. Pak ditë më parë, nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, propozoi që pjesë e aksionit opozitar për reformën zgjedhore të jetë dhe detyrimi me ligj për të votuar.

Pak ditë më parë edhe aleti tjetër Dashmir Shehu nuk e mbështeti dhe aq këtë ide. “Duhet parë si e kanë vendet e tjera, pastaj ta shikojmë ne. Unë them që edhe kjo mund të bëhet, por duhet të bëhen gjëra të tjera në fillim. Se si me detyrim si pa detyrim, nëqoftëse s’ka numërim, s’ka sistem për të qenë. Në radhë të parë duhen bërë gjëra të tjera, pastaj ajo”, u shpreh Shehi për gazetën. Ai gjithashtu deklaroi se pjesëmarrja e ulët e popullsisë në zgjedhje nuk mund të ndryshohet me vendosjen e një sistemi proporcional sepse, sipas tij, njerëzit janë të mërzitur nga sistemi politik që operon në Shqipëri. “Njerëzit që nuk shkojnë për të votuar nuk është puna se janë të një krahu apo të një krahu tjetër, janë të mërzitur nga sistemi politik”, vijoi fjalën kreu i LZHK./gazeta Sot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>