fatbardh kadilli_1 (1)
08/09/2017 - 14:51

Sekretari i PD-së: Kam një lutje për të gjithë ju, bëni opozitë!

Sekretari për Burimet Njerezore në PD, Fatbardh Kadilli, shkruan në një analizë për Panorama, ku shprehet se tani është dita që PD t’i zhgënjejë të gjithë kritikët dhe të bëjë opozitë.

FATBARDH KADILLI

Lista e kandidatëve të PD-së për zgjedhjet e 25 qershorit ka qenë më e debatuara. Është komentuar negativisht nga analistë e politikanë nga jashtë. Është kritikuar me zë e nën zë nga brenda. Edhe më keq, është sulmuar nga brenda si klienteliste, si e paplotë, jopërfaqësuese, jologjike, jofituese. Vështirë të gjesh një listë që të jetë goditur kaq shumë. Gjithsesi, ajo ishte lista që Basha zgjodhi dhe e shpalli me krenari si “të menduar”, pra jo të çastit të fundit.

Hyj tek ata që e di që nuk është e çastit të fundit, ndonëse në çastin e fundit ka pasur lëvizje të sforcuara që edhe Basha sot i sheh me dëshpërimin e pamundësisë të ndreqjes. Sidoqoftë, lista kishte logjiken e vet dhe, përkundër çdo kritike, ajo është një nga format konkrete të projektit Basha për PD-në dhe politikën. Ndonëse u godit si joelektorale, në përbërje të saj kishte kandidatë me zotësi elektorale të testuara më parë. Edhe ata që krenoheshin deri në bezdi me sukseset e dikurshme elektorale, rezultuan dështim. Por, rezultati nuk ishte faj i kandidatëve. E kam provuar vetë.

Kur erërat ishin të mira në Pogradec, isha protagonist i rezultatit më të mirë historik për PD-në. Kur erërat ishin kundër, isha pjesë e fundosjes së vitit 2013, ndonëse, kësaj radhe, gjërat shkuan edhe më keq. Në listë kishte një risi, promovim i individëve që më shumë se për aktivizëm politik, ishin të njohur për protagonizëm qytetar. Edhe këta nuk dhanë atë efekt që priste Basha. Në listë kishte shumë të rinj. Më shumë se gjysma e zonës fituese, rreth 60 për qind, ishin për herë të parë në garë. Vinin nga aktivitete të mëparshme, kryesisht administrative dhe më pak politike.

Disa i pashë të dorëzuar përballë agresivitetit të fushatës së kundërshtarit. Sidoqoftë, ujqër të vjetër, zanatçinj fushate, rishtarë, apo qyetarë ata nuk mund të gjykohen as pse ishin në listë, as për renditjen dhe as për rezultatin. Një okë e pesë, a një oke pa pesë, këtë do të kishin bërë edhe të tjerë që munguan në listën e PD-së. Shkaqet qëndrojnë gjetkë dhe jo te kandidatët individualisht.

Por, në qoftë se ata nuk janë individualisht përgjegjës për asgjë deri më sot, ata janë përgjegjës që nga sot. Në rrudhjen e madhe që pësoi opozita nën trysninë e kundërshtarit politik dhe paremadh, ata, deputetët e rinj, janë të vetmit që kanë një trofe. Kanë tribunën e Parlamentit. Sot e tutje, ata duhet të tregojnë se vlejnë. Duhet të tregojnë se qenia e tyre atje është një mundësi që e shfrytëzuan.

Grupi i PDsë është i vogël, por ka në përbërje çdo karakter politik që i duhet. Ka autoritete të politikës shqiptare që kanë drejtuar partinë dhe që kanë përvojë qeveritare. Ka në përbërje profesionistë me autoritet në politikat publike të fushës. Grupi i juristëve, i njohësve të arsimit dhe të shëndetësisë janë shumë konkurrues dhe me autoritet të pranuar. Ka ekonomistë e financierë me kualitet, si Mima, që dominojnë me argument dhe integritet e tyre. Ka dhe rishtarë ambiciozë dhe persona që kanë grintën e duhur për të ndezur debatin politik me pasion dhe zemër.

Në fakt, fjala grintë është një huazim nga italishtja dhe ka të njëjtën rrënjë me fjalën grindje në shqip, por nuk na duhet kuptimi në shqip, na duhet ai në gjuhën europiane. Opozita i ka njerëzit mjaftueshëm. Ka dhe kauzat e mëdha të shqiptarëve. Në këtë legjislaturë opozita ka edhe kryetarin e saj në Kuvend, i cili ka mundësinë ta dirigjojë orkestrën e të zgjedhurve te vet për të kumbuar në atë sallë sinfonia opozitare me tone si Heroikja e Bethovenit. Ai i ka menduar me kohë partet e secilit. Tani mbetet që pas premierës së betimit të dëgjojmë opozitën.

Të dëgjojmë deputetët e njohur dhe sidomos ata me përvojë. Ata të paragjykuarit. Tek ata janë sytë e çdo demokrati. Tek ata janë sytë e çdo kritiku, çdo të pakënaquri, siç edhe janë sytë e çdo demokrati dhe sytë e çdo votuesi që edhe në momentet më të dobëta, nuk e braktisën PD-në, por dhanë votën për misionin e saj të lartë historik. Tani është në dorën e tyre të profilizojnë opozitën. Ndaj, kolegë deputetë, sot nuk kam asnjë paragjykim për asnjërin nga ju.

Sot nuk kam asnjë këshillë për askënd. Sot kam vetëm një lutje për ju. Kushdo që më njeh nga afër e di që vetëdija ime politike është jo vetëm e konsoliduar, por edhe në harmoni me personalitetin tim. Asnjëherë nuk më shqetëson suksesi i dikujt, përkundrazi më gëzon. Ndaj, sot kam vetëm një lutje për të gjithë ju – na zhgënjeni pozitivisht, kolegë deputetë. Bëjeni tuajën. Bëni opozitë. Bëni politikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>