edi-rama-me-grusht
18/06/2017 - 12:23

E vërteta totalitare tek ligjërimi i Edi Ramës. Nga Fitim Zekthi

Nga Fitim Zekthi

Totalitarizmat e çdo lloji kanë të përbashkët përpjekjen për të kontrolluar shoqërinë, legjitimuar kjo me ekzistencën e një të vërtete që paraqitet si fundore. Kjo i heq diskurit publik një nga tiparet themelore të gjuhës: shumësinë e interpretimeve. Ekziston një literaturë mjaft e dendur që tregon se si kjo ecën pashmangshëm drejt shkatërrimit të lirive politike, sociale, kulturore, fetare, etj. të individit: Gjuha si një mjet i rëndësishëm për të prodhuar realitet.

Nga pikëpamja e komunikimit karakterisktika e tij është se ai ka formën e një monologu. E thënë ndryshe ideali i tij është një hierarki komunikimi ku një person flet dhe të tjerët dëgjojnë. Totalitarizmi, thotë Victor Klemperer, një filolog mjaft i njohur (autor i “Gjuha e Rajhut të Tretë”), ideologjizon dhe racionalizon vetdijen publike dhe bën politizimin total të mendjes. Fjala kthehet në forcë agresive për të ndryshuar mendjen e njerëzve. Edhe shumë autorë të tjerë (Vaclav Havel, Piotr Fidelius, Claude Lefort, Jacque Dewitte, Aleksander Wat etj.) çmojnë rolin përkufizues të gjuhës dhe simboleve të tjera në vendosjen dhe funksionimin e një regjimi totalitar.

Shqipëria është një vend që vjen nga një regjim ekstremisht totalitar dhe nuk është e habitshme të gjesh ende gjurmë totalitarizmi, por rasti i mënyrës sesi e ka ndërtuar veprimin dhe ligjërimin kryeministri Edi Rama nuk duket se kemi të bëjmë thjesht me gjurmë. Kryeministri shqiptar mban fjalime çdo ditë, ka raste kur ka më shumë se një fjalim në ditë. Fjalimet e tij janë shumë të gjata dhe kanë formën e një monologu. Ne do të përpiqemi të shohim më përtej kësaj pamjeje dhe do të bëjmë një krahasim me një fjalim të Stalinit, Musolinit, Hitlerit, dhe Gomulkas, disa prej mendjeve më totalitare që ka njohur njerëzimi deri më sot.

Në krye duhet thënë se një nga shenjat kryesore të një ideologjie totalitare është pikëpamja e saj teleologjike (objektiv orientuar) e zhvillimit social. Studiues të njohur, si Klemperer, Eidlin, Lefort, Dewitte etj. bien dakort se diskuri totalitar dominohet nga katër veti bazë: a) stili deklamativ dhe tonet e ethshme të fushatës, b) propaganda triumfaliste ku ekzagjerohet rëndësia e arritjeve sociale dhe rezultateve konkrete, c) përdorim i ideologjizimit dhe krijim ideologjemash e klishesh dhe së katërti d) përdorim aktiv i përgjithësimit në dëm të logjikës, kriticizëm shumë i lartë, përdorim sloganesh, batutash, etj.

Stili i kryeminstrit Rama është më shumë se deklamativ dhe tonet e fushatës shoqërojnë gjithandej ligjërimin e tij. Ai vazhdimisht thotë: “ne për herë të parë rritëm buxhetin, për herë të parë po rrismim punësimin, për herë të parë ka rënë numri i aksidenteve, për herë të parë ka ilaçe në spitale, për herë të parë po bëhet harta e pronave, për herë të parë policia është kthyer në krye të detyrës etj etj”. Fjalimet e tij janë janë me tone triumfaliste, me ekzagjerim të rezultateve dhe me përgjithësime pa fund duke dëmtuar logjikën. Ai thotë: “ne po i japim fund një administrate tatimore gjobvënëse, varrmihëse të biznesit dhe pasuruese të familjes”, “në tetë vjet nuk legalizuan asnjë ndërtim, nuk lanë rrugë pa lënë rrugëve, nuk lanë shqiptar pa vjedhur”etj. Pra që të gjitha përgjithësime në dëm të logjikës. Sa për kriticizmin e lartë nuk ka nevojë të përmendet si tipar i ligjërimit të kryeministrit Rama.

Në maj të vitit 1938 Stalini mbajti një fjalim në pritjen e punonjësve të arsimit të lartë në Kremlin. Vladimir Nevezhin, një studiues rus shprehet se “në mënyrë interesante edhe ky tekst miqësor ndaj anëtarëve të botës akademike është polarizuar në drejtime të ndryshme dhe është mbajtur me qëllimin për të ekspozuar të kundërtën, oponenten: Shkencën kundër të vjetrës.” Stalini kundërvë “shkencën e popullit ndaj shkencës që është e “ largët nga populli” dhe që është thjesht e detyruar ti shërbejë atij. Ai sulmon shkollën e vjetër, shkencëtarët e traditës (priftërinjtë, monopolistët e shkencës) ndërsa vlerëson të rinjtë që thyejnë normat dhe traditat etj etj.

enver_hoxha_VI_PPSH-500x415Stalini kishte më shumë 13 vjet në pushtet, e kishte konsoliduar atë dhe sërish nuk rri dot pa kundërshtarin. Le të shohim një fjalim të Ramës të para pak kohëve në një takim me mësuesit kur po bëhej analiza e 300 ditëve. Fjalimi fillon me akuza të ashpra për ata që shkatërruan arsimin , vazhdon me tone triumfale për arritejet 300 ditore dhe mbyllet me sulme gati ad hominem ndaj të gjithë atyre që i “ngulën thikën në shpinë Shqipërisë”. “Kemi ndërhyrë në gjithë sistemin kanceroz të librave, një sistem që ka gjeneruar vit pas viti metastaza me pasoja të tmerrshme, kemi revolucionarizuar shkollën…”

Ngjashmëritë nuk ka nevojë të theksohen. Po në vitin 1938 Hitleri do të mbante një fjalim në Vjenë me rastin e aneksimit të Austrisë nga Gjermania. Pasi flet për idenë gjermane që fitoi mbi atë austriake fjalimi vazhdon me abstagime dhe përgjithësime vijon duke iu drejtuar njerëzve, si “ burra dhe gra”. Duke theksuar gjininë Hitleri e zhvendos fokusin nga personaliteti dhe individualiteti. Victor Klemperer (në “Gjuha e rajhut të Trtetë”) thotë se futja e një personi në një kategori nocionesh përgjithësuese (gjinia, etnia apo shtresa sociale) është tipar karakteristik i totalitarizmit. Ai thotë: “ Qëllimi i gjuhës totalitare është ta zhvendosë gjithkënd nga individualiteti i tij, ta paralizojë si personalitet, ta bëjë atë pjesë të kopesë së heshtur që nuk mendon …”

Pastaj Hitleri flet për armiq dhe miq, për njerëz tanët dhe për njerëz të huaj. Futet në përdorim një gamë e tërë leksikore: mizori, egërsi, sëmundje, plagë, dhembje, shërim, dhunë etj. Gjatë fjalës Hitleri kalon nga e përgjithshmja tek personalja. Sipas Klemperer ky leksik, kjo lojë personale-jo personale, e përgjithshme-e përveçme, mizori-dhimbje, sëmundje-shërim, kjo ndërthurje e shtresave të gjuhës është themeli i mendësisë totalitare që pret përgjigje ekstatike nga dëgjuesi dhe eliminon mundësinë e vënies në diskutim. Më pas gjatë fjalimit ai flet për mission, shpall misionin që ka ai dhe partia e tij.

Thuajse në çdo fajlim Rama iu drejtohet njerëzve si “burra dhe gra”. Në një fjalim për reformën në administratën publike ai tha: “burra dhe gra që punojnë ….”; në një fjalim tjetër për rininë socialiste tha: “…u bashkuan me rrugën tonë 300 burra dhe gra, të rinj e të reja…”; në një tjetër fjalim në një sallë me drita fikur Rama, para punonjësve të policisë, tha: “ju jeni burrat dhe gratë që po i hiqni këmbën krimit në polici”.

Sa për përdorimin e leksikut me fjalë të tilla si dhunë, mizori, sëmundje, shërim, kancer etj, fjalimet e Ramës janë të mbingarkuara. Po në takimin me policinë ai tha: “Kld-ja është një kancer në trupin e drejtësisë”. Në një fjalim tjetër ai përdor metaforën “shëndetësia e sëmurë” apo “gjyqësori është një vatër e tmershme infeksioni”, “mizoria ka pushtuar dhe dhunuar bregdetin për vite”.

Në vitin 1940 nga sheshi Venecia në Romë Musolini mbajti një fjalim ku njoftoi futjen e Italisë në luftë. Ai që në krye intrumentalizon dëgjuesit duke i quajtur përmbushës të misionit, lartimit të Italisë, glorifikimit të saj. Pastaj nis sulmi ndaj kundërshtarëve Anglisë, Francës etj. Ai iu kërkon njerëzve të luftojnë dhe të fitojnë duke hapur një epokë të re që do ta bëjë, jo vetëm Italinë më të mirë, por edhe botën. Është e tepërt të thuash se si ngjajnë fjalimet e kryeministrit Rama me këtë fjalim.

Vladislav Gomulka kryetari i partisë punëtore (komuniste) në Poloni mbajti një fjalim në vitin 1945 në kongresin e partisë. Ai tha: “Të gjitha gabimet e kaluara nuk do të na pengojnë ne të marrim vendin tonë, të luajmë rolin tonë. Ne jemi një parti e re e një populli punëtor të fshatrave dhe qyteteve tona. Ne do ti pastrojmë efektet e të gjitha gabimeve të deritanishme… ne do të likuidojmë absolutisht të gjithë Poloninë e vjetër, të keqe dhe të rrezikshme..”

Gjatë një fjalimi në parlament Rama është shprehur: “ne marrim përsipër të ndreqim të gjitha gabimet e tmerrshme të bëra në kurriz të këtij populli, ne do të paguajnë çdo qindarkë ndaj biznesit, ne do të ndërtojmë një Shqipëri të re, do të transformojmë ekonominë, politikën dhe kulturën… e dimë se do të ketë dhimbje zorrësh tek ata që e shkatërruam këtë vend, por ne do të ecim përpara…”

Në fjalime si ky e dallon që nuk është kryeministri ynë vetëm prej gjeografisë dhe kohës. Totalitarizmat prodhojnë këtë ligjërim banal, të rrezikshmem, pa substancë sepse qenia e tyre nuk jeton pa Tjetrin. Në mënyrë ironike Tjetri është burimi i ushqimit të totalitarizmit. Claude Lefort një filozof bashkëkohor francez thotë se për totalitarizmin Tjetri nuk është kurrë i pafajshëm. Të qenit e tij Tjetër e bën atë armik që duhet demaskuar dhe eliminuar. Kjo sespe mendja totalitare ka gjetur të vërtetën fundore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>