auto_Screenshot_11505157688
13/09/2017 - 10:13

Zbardhet dëshmia e oficerit të Burgjeve që plagosi biznesmenin të Pazari i Ri

“Me Pëllumb Gjokën u takuam për t’u sqaruar në lidhje me sherrin mes djemve tanë. Në debat e sipër situata më doli jashtë kontrollit. Nuk doja që gjërat të shkonin deri në përdorimin e armës”.

Kështu ka deklaruar në polici Kleant Musabelliu, i cili mbrëmjen e së martës plagosi me pistoletë biznesmenin Pëllumb Gjoka. 43-vjeçari ka treguar se pasi ishin vënë në dijeni të faktit se djemtë e tyre ishin përfshirë në konflikt me njëri-tjetrin, kanë biseduar së bashku dhe kanë lënë që të takoheshin në një lokal tek “Pazari i Ri”, aty ku edhe jetojnë.

Sipas tij, bisedimet mes tyre kishin nisur të bëheshin me zë të lartë dhe për këtë fakt kishin vendosur që të dilnin jashtë lokalit për të folur. Por, në sherr e sipër, efektivi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve në Ministrinë e Drejtësisë, Kleant Musabelliu, ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar tri herë drejt 46-vjeçarit Gjoka.

Ky i fundit mori plagë në këmbë dhe menjëherë u dërgua në urgjencë për të marrë ndihmën e nevojshme, ku fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Burime pranë policisë bënë me dije se po të njëjtën gjë ka pohuar edhe biznesmeni Gjoka, se takimi mes tyre ishte bërë për të shuar sherrin që kishte nisur më herët mes djemve. Sipas të njëjtave burime, mësohet se të rinjtë ishin zënë pas një konflikti të çastit dhe për motive të dobëta. Ndërkaq, ditën e djeshme, kreu i SHKB-së, Denion Meidani ka firmosur edhe pezullimin nga detyra të Kleant Musabelliut.

Plagosja

Mbrëmjen e të hënës, rreth orës 21:00 Gjoka dhe Musabelliu u konfliktuan pranë “Pazarit të Ri”. Shkak ishte bërë një grindje që djemtë e tyre kishin pasur pak orë më parë me njëri-tjetrin. Por, në debat e sipër Musabelliu ka qëlluar me armën e shërbimit ndaj 46-vjeçarit Gjoka. Për rastin në fjalë, policia është sinjalizuar nga qytetarët për shkak se edhe zona ku ndodhi plagosja është e mbipopulluar.

Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, policia bëri të mundur arrestimin në flagrancë të punonjësit të burgjeve, ndërsa nisi menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave. Në sajë të hetimeve, policisë sekuestroi në cilësinë e provës materiale 3 gëzhoja të kalibrit 9 mm, si dhe armën tip “Bereta”, me kalibër 9 mm me të cilën Musabelliu kreu krimin. Ndonëse 43-vjeçari Kleant Musabelliu ka pohuar se nuk ka pasur si qëllim të vriste njeri apo edhe se situata mes tyre të shkonte deri në këtë pikë, Policia e Tiranës ka ngritur ndaj tij akuzën e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>