tatimet
14/08/2017 - 10:35

Deklarimi i të ardhurave nga individët, tatimet sqarojnë si mund të përfitohen shumat e paguara tepër

Drejtoria e Tatimeve njofton individët të cilët kanë dorëzuar deklaratën individuale vjetore të të ardhurave të vitit kalendarik 2016, ku nga plotësimi i saj ka rezultuar që individi tatimpagues ka një tepricë kreditore si rezultat i llogaritjes së shpenzimeve të zbritshme, si dhe kanë paraqitur pranë drejtorisë rajonale tatimore të juridiksionit, jo më vonë se 30 ditë nga data e deklarimit, kërkesën për kthimin e shumave paguar tepër, se brenda datës 30 shtator të vitit 2017, mundësohet kreditimi i shumave të përfituara nga skema e shpenzimeve të zbritshme. Individi tatimpagues, duhet të ketë dorëzuar njëkohësisht edhe gjithë dokumentacionin justifikues të të ardhurave të përfituara dhe të shpenzimeve të kryera si dhe numrin e llogarisë bankare personale në të cilën do të bëhet rimbursimi i tatimit të paguar tepër. Përgjegjësia për saktësinë e numrit të llogarisë bankare është e individit deklarues. Vetëm pasi, drejtoria rajonale tatimore të ketë vërtetuar saktësinë e të dhënave dhe nga verifikimi i tyre del se informacioni i dhënë në deklaratë është i saktë, atëherë procedon me urdhër rimbursimi të shumës së tatimeve të paguara tepër, në llogarinë bankare të tatimpaguesit. Njëkohësisht, tatimet sqarojnë që me kërkesën me shkrim të deklaruesit, shuma e paguar tepër mund të përllogaritet edhe si pagesë e kryer për llogari të vitit tatimor në vijim.

Aplikimi për përfitimin

Individët që kanë të ardhura bruto 2 milionë lekë në vit janë subjekt i deklarimit tatimor dhe si të tillë kanë të drejtë të rimbursohen pasi zbriten disa shpenzime. Afati për rimbursimin e vitit 2016 është deri më 30 shtator të këtij viti. Nëse nga plotësimi i Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave, rezulton diferencë negative, pra nga sa rezulton nga llogaritja sipas deklaratës, individi tatimpagues ka një tepricë të tatimeve si rezultat i llogaritjes së shpenzimeve të zbritshme, Drejtoria Rajonale Tatimore duhet t’i kthejë me kërkesën e tij, shumën e tatimeve të paguara me tepër. Sipas procedurave të tatimeve, kërkesa e tatimpaguesit për kthim të shumës së paguar tepër, duhet të dorëzohet pranë organit tatimor, brenda 30 ditëve nga data e dorëzimit të Deklaratës individuale Vjetore të të Ardhurave dhe duhet të shoqërohet, me kopje të të gjithë dokumentacionit justifikues të të ardhurave dhe shpenzimeve të zbritshme. Individi tatimpagues, kërkesën për kthim të shumës, së bashku me dokumentacionin justifikues, e paraqit dorazi pranë organit tatimor, duke u pajisur me një numër protokolli të dorëzimit të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>