collage
25/04/2013 - 12:00

Batutat më pikante të politikanëve shqiptarë

Vitet e fundit përveçse na kanë prodhuar një pafundësi sharjesh dhe fyerjesh, po ashtu na kanë sjellë një mori batutash, të cilat kanë lënë me gojë hapur të gjithë ata që i kanë dëgjuar. Po publikojmë në mënyrë të përmbledhur dhe të dokumentuar 50 shprehjet më të forta, që kanë lënë politikanët në Parlament, në konferenca shtypi apo në intervista nëpër televizione dhe gazeta.

Politikanët, që njihen më tepër për batuta, janë Sali Berisha, Fatos Nano dhe Edi Rama, të cilët në çdo situatë e nxjerrin një shprehi, që sjell të qeshura te të pranishmit.

Aktualisht batutat më të forta jepen nga kreu i qeverisë Berisha dhe lideri i opozitës Rama, pasi Nanoja është shkëputur prej kohësh nga politika aktive.

1.Dritëro Agolli në një vizitë në Skrapar në vitin 1994, kur një grup demokratësh e qerasën me raki, shkrimtari u thotë: “Do ta pi rakinë tuaj, sepse një demokrat në Skrapar është sa një socialist në Tiranë”.

2. Dritëro Agolli në vitin 1997, pas deklaratës së Nanos për meritokracinë e kuadrove: “Kësaj i them shkërdhatokraci dhe jo demokraci”.

3. Edi Rama sapo emërohet ministër i Kulturës në vitin 1998 nuk pranoi truproja duke deklaruar: “Nuk do të pranoj badigardë, përjashto rastin kur të më japin një më të gjatë se vetja”.

4. Pjetër Arbnori, ish-kryetari i Parlamentit, data 13 shtator 1999, në një konferencë për shtyp: “Këta nuk janë socialistë, por specialistë”.

5. Edi Rama, ministër i Kulturës, në gusht të vitit 1999: “Është vështirë të jesh ministër kulture në një vend me kulturë të tillë”.

6. Edi Rama gjatë fushatës së Nanos për katarsis në vitin 2001: “Nanoja është bërë si Robert Çamçakëzi, fut duart në xhepa dhe bredh nëpër kantier”.

7. Fatos Nano në gusht të vitit 2001, kur shkon në Lezhë për fushatë elektorale, del nga makina dhe i hap derën Lesit duke thënë: “Eh, ç’është një lider partie para një lideri të shtypit të lirë!”

8. Fatos Nano gjatë fushatës për katarsis në vitin 2001: “E mora Ramën me thonj pa prerë nga Parisi dhe e bëra ministër”.

9. Fatos Nano, në mbledhjen KPD-së në dhjetor të 2001-shit: “Lavatriçe? Po Musa, ti nuk vlen as sa një lavatriçe”.

10. Fatos Nano në Parlament në vitin 2001: “Unë jam çliruar nga makthet e Berishës. Ndërsa kam thënë se lëvizjen “Nano” nuk e ndalon dot më as vetë Nanoja, regjimin e Berishës në Shqipëri nuk e kthen dot më as vetë Berisha”.

11. Arta Dade në dhjetor të vitit 2001 gjatë fushatës së Nanos për katarsis: “Më tepër të dhemb kur ta fut i yti”.

12. Edi Rama në komision hetimor ndaj tij, i drejtohet Uran Metkos: “Nuk t’i zgjidh dot hallet. Vetëm mund të të jap ndonjë pulë të pjekur dhe një shishe raki që ta pish me Shpëtim Rroqin”.

13. Edi Rama më 9 tetor 2002 i drejtohet Njazi Kosavrastit: “Sikur të ka gjet doktori te gabi”.

14. Gramoz Ruçi pas akuzave të Nanos që e ka mbajtur në kurriz për 12 vjet: “Kemi një shprehje ne andej nga jugu, dhëndrit të ri mos i dil përpara gjashtë muaj para e gjashtë muaj pas dasmës”.

15. Edi Rama më 9 tetor 2002 i drejtohet Rusmajlit: “Do t’u jap një shkallë të komunales që të shihni çfarë kam unë në kokë!”

16. Edi Rama më 9 tetor 2002, i drejtohet Rusmajlit: “Të fala doktor Najlonit!”

17. Edi Rama në vitin 2002 në emision televiziv: “Kush e di se cila nga stërgjyshet e tezës së njërit, s’ka pasur një moment gëzimi me stërgjyshin e hallës së tjetrit”.

18. Gazetari: A do ta pranonit postin e kryeministrit nëse do t’u propozohej? Pandeli Majko: “Unë nuk jam nga ata që ua fusin thikën pas shpine shokëve”. (Më pas e pranon e postin e kryeministrit)

19. Edi Rama: “Unë solla në tiranë grupin “Scorpions” ndërsa PD-ja, Rroqin me kitarë”.

20. Edi Rama: “Kemi vënë bythën në qendër, se nuk ka mushkonja, në periferi ka më shumë mushkonja me llastiqe në dorë”.

21. Edi Rama si kryetar i Bashkisë së Tiranës pas akuzave si i korruptuar: “Nuk ka bir kurve të gjejë lekë të vjedhura në xhepat e mi”.

22. Nikollë Lesi në tetor të vitit 2004 gjatë protestave anti-Nano: “I kam kërkuar Berishës të më japë PD-në mua dhe për 24 orë e rrëzoj Fatos Nanon”.

23. Fatos Nano në Parlament në vitin 2004: “Pasuria ime më e madhe, më e çmuar dhe e hipotekuar në sytë e të gjithëve, është Sali Berisha”.

24. Kastriot Islami në Parlament për Berishën: “Herën e parë ta thashë italisht, tani do ta them shqip: Je bërë si cari i Rusisë”.

25. Bamir Topi në Parlament për Fatos Nanon: “Unë, zoti kryeministër, nuk merrem me ndryshime mbiemrash. Ju keni të njëjtin mbiemër Nan´-i vogël. Ndërsa ju e doni në shumës mbiemrin tim, që të më arrini mua me gjatësi”.

26. Sali Berisha në kohën, kur ai piu pak ujë nga gota që gjendej mbi foltoren e Kuvendit, disa deputetë vijuan me komentimin e fjalëve te tij. Berisha iu drejtua krahut të majtë me fjalët: “Nuk i flitet tjetrit, kur pi ujë”.

27. Sali Berisha në konferencë për shtyp: Nikollë Lesi është i vetmi që ngrin në gusht.

28. Sali Berisha, ish-shefi i opozitës në emisionin “Opinion” në TV “Klan”: “E kam gjetur presidentin (për Moisiun:), duke luajtur domino, përpara se ta propozoja atë në postin e presidentit”.

29. Edi Rama, me të hipur në “arenën” e fjalimeve të socialistëve kërkon t’i hiqet podiumi që ndodhej para foltores: “Kongresmenët nuk kanë faj që duan të më shkurtojnë se jam shumë i gjatë”.

30. Artan Lame në korrik 2005 në KQZ: “Nëse peshku qelbet nga koka, në PS është qelbur nga këmbët”.

31. Ben Blushi në korrik 2005 në edicion informativ në TV “Klan”: “Nga Partia Socialiste kishte kandidatë që bënin fushatë me pantallona të shkurtra”.

32. Nikoll Lesi, njëherë pas fitores së zgjedhjeve të 3 korrikut 2005 nga koalicioni i djathtë: “Tani do të ketë vetëm investime dhe arrestime”.

33. Gramoz Ruçi në kongresin e tetorit të PS-së: “Tani që kaluam në opozitë, as ujë nuk kemi”.

34. Edi Rama menjëherë sapo zgjidhet nga kongresi në krye të Partisë Socialiste 10 tetor 2005 deklaroi: “Duhet të ulim numrin e burrave për metër katror”.

35. Edi Rama gjatë inaugurimit të një rruge në Tiranë: “Ne nuk hedhim asfalt “më ka ç’u moma me la gojën”.

36. Bujar Leskaj, ministër i Kulturës në një konferencë shtypi për konfliktin me FSHF-në: “Do ta ngul aq thellë atë gozhdë, sa të thonë o lele, o mami gozhda”.

37. Sali Berisha në konferencë shtypi tek Kryeministria: “Gazetarët jashtë tani. Se po t’i lesh këta, bëhen banorë të Kryeministrisë. Po nuk kanë faj këta kur shohin Bashën, që ka pothuajse moshën e tyre”.

38. Blendi Klosi në Parlament: “Zonja Topalli që nga dje nuk të njohim si kryetare e Kuvendit. Ti përfaqëson vetëm frikën e 80 burrave në Kuvend, të cilët janë kthyer në gra”.

39. Sali Berisha në prononcim për median më datën për situatën në Parlament: “Bilbilenjtë të bilbilojnë. Majko ishte bërë si Çe Guevara”.

40. Genc Pollo, ministër i Arsimit pas largimit nga PDR-ja e Nard Ndokës: “Politika duhet të përballet me haxhiqamilizmin parlamentar, sepse në rast se përmes PDR-së kemi sjellë pa dashje në Kuvend ndonjë kokërr jo “du babën”, por “du postin”.

41. Blendi Klosi në seancën parlamentare të datës: “Kjo qeveri të kujton atë fjalën e urtë të grave, keq me burrë dhe keq pa burrë, më mirë të mos isha martuar kurrë”.

42. Fatos Nano, gjatë bisedës me Berishën në një pritje në ambasadën franceze: “Karrigen tënde dhe timen nuk e ha as dreqi”.

43. Spartak Ngjela në Parlament: “Kur dola nga burgu i pashë njerëzit duke ngrënë fara, dje isha në Durrës dhe po hanin misra, kemi ecur shumë këto 15 vjet”.

44. Namik Dokle i drejtohet Nishanit: “Jam duke bërë një dramë, por më mungonte roli i idiotit, por tani e gjeta”.

45. Arta Dade i drejtohet ministrit të Jashtëm në Parlament: “I duket vetja si Don Zhuan ministrit tonë të Jashtëm dhe thotë pata një bisedë miqësore me zonjën Ilika (ministrja e Jashtme e Maqedonisë), ashtu sikurse mendon se ka pasur edhe ndjenja të tjera të miqësisë apo simpatisë me gra, apo me shoqe të tjera që zotin ministër e kanë rrethuar edhe në kohën kur pinte çaj me klor kur ishte nxënës në shkollë”.

46. Pandeli Majko iu drejtohet demokratëve për krizën energjetike: “Deri në fund do të na akuzoni se kemi bërë pakt me Perëndinë që të mos bjerë shi”.

47. Neritan Ceka: “Nuk ka faj njeri. Jetojmë në kohën e Haxhi Qamilëve. Vetëm në Parlament janë nja 50 Haxhi Qamilë, mos të shtojmë edhe ata të qeverisë”.

48. Sali Berisha, në bashkinë e Kamzës: “Po shikoja lajmet, po shikoja Edvin Ramën në bulevardin e Kombinatit. Po ecte pash më pash bulevardit të Kombinatit dhe takon papritmas, në mes të bulevardit, një gomar. Aty ku ju kishte premtuar se do të kalonte tramvaji, po kalonte sot vetëm veshgjati për ta përshëndetur ish-kryetarin. Pas 3 vitesh takohej me veshgjatin në të njëjtin vend”.

49. Edi Rama për Berishën: “Dua t’i kërkoj falje publike Pinokut, kësaj krijese naive të përrallave që e kam fyer pa të drejtë dhe krahasuar me Saliun”.

50. Fatos Nano pas një mungese të gjatë në Parlament , merr pjesë në një seancë për të mos djegur mandatin. Sapo hyn në Parlament, Kryeministri Sali Berisha ishte i pari që e ngacmoi Nanon, duke e pyetur: “Fatos, ku e ke pas celularin, pse s’më ke marrë njëherë?” Dhe Nanoja ia kthen menjëherë: “Nuk kam pasur lekë në telefon, ndaj s’të kam marrë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>